LAJMERIM: Hoxha i Nderuar EROLL NESIMI eshte Liruar nga Arresti Shtepijak

 

Gjërat që e prishin agjërimin

Për agjërimin ka disa gjëra që e prishin dhe duhet për muslimanin ti njohë ato, në mënyrë që ti largohet atyre dhe të ruhet prej tyre, sepse ato e anulojnë agjërimin dhe e prishin atë.

Këto gjëra anuluese të agjërimit janë:

1. Marrëdhëniet seksuale. Kur agjëruesi bën marrëdhënie seksuale prishet agjërimi i tij, dhe e ka detyrë ta zëvendësojë atë ditë në të cilën ra në kontakt seksual. Përveç kësaj ka dhe detyrim kefaren i cili është dëmshpërblim me lirimin e një robi, nëse nuk gjen rob ose nuk ka mese ta liroj, atëherë ka detyrë të agjëroj dy muaj rresht pa shkëputje. Nëse nuk ka mundësi të agjëroj dy muaj për shkak të një arsye të saktë , të pranueshme nga feja. Atëherë e ka detyrë të ushqej 60 të varfër (miskina). Për çdo të varfër gjysmë Sau (njësi matëse, 1 sa≈2.7kg) nga ushqimi i zakonshëm që konsumohet në atë vend.

2. Ejakulimi (dalja e spermës). Për shkak të puthjes, prekjes, vazhdimi duke shikuar apo masturbimi. Nëse ndodh diçka e tillë, prishet agjërimi, në këtë rast është detyrë kompensimi dhe jo kefare (dëmshpërblim) sepse ajo është e veçantë vetëm në raste marrëdhëniesh seksuale. Ai që është në gjumë dhe bëhet xhunub, nuk ka ndonjë problem dhe agjërimi i tij është i sakte, sepse kjo gjë ndodhi pa zgjedhjen dhe dëshirën e tij. Por që duhet dhe e ka detyrë që të lahet (të marri gusul).

3. Ngrënia dhe pirja qëllimisht me dëshirë. Siç thotë Allahu:

“Dhe hani e pini derisa të dallohet peri i bardhë (bardhësia) e agimit nga peri i zi (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin deri në mbrëmje” (Bekare 187).

Por kush han ose pi me harresë, kjo nuk ndikon në agjërimin e tij. Në një hadith thuhet: “Kush ha ose pi me haresë, le ta plotësoj (vazhdoj) agjërimin, sepse Allahu e ka ushqyer dhe i ka dhënë me pi” (Buhariu 1933 dhe Muslimi 1155).

Prej gjërave të tjera që e prishin agjërimin janë:

Kalimi i ujit dhe diçka të ngjashme me të në bark nga hunda, ilaçe që merren nga hunda (seutt). Marrja e ilaçeve nëpërmjet venave, injeksionet me gjak (transfuzionet). Të gjitha këto veprime e prishin agjërimin sepse janë ushqyese për organizmin.

Gjithashtu dhe injeksionet që kanë ndikim ushqyes (serumet) e prishin agjërimin sepse luajnë rolin e ushqimit, gjë e cila e prish agjërimin.

Ndërsa për injeksionet që nuk kanë efekt ushqyes është më mirë për agjëruesin të mos i marri ato, që të ruaj agjërimin e tij. Kjo duke u bazuar në fjalën e Pejgamberit salallahu alejhi ua selam “Lëre atë që të duket e dyshimtë dhe bëj atë që s’është e dyshimtë”. (Ibn Khuzejme 2348, Tirmidhiu 2518, Nesaiu 5220, Hakimi 2/13, Ahmed 1/200) Dhe këto injeksione i vonon që ti bëj në darkë.

Nxjerja e gjakut nga organizmi, me hixhamë, apo nxjerrja e tij për ta dhuruar në spitale. Të gjitha këto veprime e prishin agjërimin. (Më e sakta është se nuk prishet, fjala e shejh Albanit)

Ndërsa nxjerrja e gjakut me sasi të vogla si p.sh. për analiza. Kjo nuk ndikon te agjërimi. Kështu është dhe nëse del gjaku jo qëllimisht si gjatë gripit, çarjeve apo heqjes së dhëmbit etj. Këto veprime nuk ndikojnë te agjërimi.

Prej prishësve të tjerë të agjërimit është dhe vjellja - nxjerrja nga stomaku e ushqimit apo pijes nëpërmjet gojës qëllimisht.

Nëse vjellja është jo e qëllimshme, ushqimi del jo me dëshirën e personit, atëherë agjërimi nuk prishet, për fjalën e Pejgamberit salallahu alejhi ua selam “Kush vjell pa dëshirën e vet, nuk ka kompensim (kada), ndërsa kush vjell me qëllim atëherë ta kompensoj atë ditë”. (Ahmed 2/498, Tirmidhiu 720, Ebu Daud 2380, Ibn Maxheh 1676, Hakim 1/598)

Për agjëruesin duhet që të ruhet prej lyerjes së syve me (kuhul) apo ilaçe të tjera të syve me pika apo me ndonjë mënyrë tjetër gjatë kohës së agjërimit. Në mënyrë që të kujdeset për agjërimin e tij se mos e prish atë.

Nuk duhet që ta teproj gjatë abdesit me futjen e ujit ne gojë, duke bërë gargara. Apo futjen e ujit në hundë sepse ndoshta uji mund të kaloj në bark. Pejgamberi salallahu alejhi ua selam thotë: “Fute ujin thellë në hundë, përveç nëse je duke agjëruar”. (Tirmidhiu 788, Ebu Daud 142, Nesaui 98, Ibn Maxheh 407, Ibn Khuzejme 150, Ibn Hibani 1054)

Përdorimi i misvakut nuk ndikon te agjërimi, përkundrazi është i pëlqyeshëm dhe i këshillueshëm të përdoret për agjëruesin ose jo agjëruesin në fillim dhe në fund të ditës sipas fjalës më të saktë.

Nëse në fytin e agjëruesit hyn pluhur apo ndonjë mizë, nuk ndikon në prishjen e agjërimit.

Për agjëruesin është detyrë që ti largohet gënjeshtrës, përgojimit, sharjes, nëse dikush e dëmton ose e shan le të thotë unë jam agjërues. Disa njerëz mund ta kenë të lehtë të lenë ushqimin dhe pijen, por nuk e kanë të lehtë të lënë fjalët apo veprat e ulëta që është mësuar ti veproj gjithmonë. Për këtë disa nga selefët kanë thënë: “Lënia e ushqimit dhe pijes në agjërim është puna më e lehtë.

Për muslimanin është detyrë që të ketë frikë dhe respekt ndaj Allahut, të kuptoj dhe të përfytyroj madhështinë, fuqinë mbikëqyrjen e Tij në çdo vend dhe në çdo gjendje. Atëherë le të ruaj dhe të kujdeset për agjërimin e tij nga ato gjëra që e prishin dhe ja ulin vlerën atij, në mënyrë që agjërimi i tij të jetë i saktë.

Për agjëruesin duhet që të preokupohet me përmendjen e Allahut dhe leximin e Kur’anit, të shumoj në veprimin e nafileve (veprave të mira vullnetare). Sepse të parët tanë të mirë (selefët) kur agjëronin, uleshin nëpër xhamia dhe thoshin: “Ruajmë agjërimin tonë dhe nuk marrim nëpër gojë asnjë”. Pejgamberi salallahu alejhi ua selam thoshte: “Kush nuk lë fjalët e ulëta, të rënda dhe punën me to, Allahu nuk ka nevojë që ai të lërë ushqimin dhe pijen e tij”. (Buhariu 6057)

Sepse ai nuk e plotëson afrimin tek Allahu i madhëruar, me lënien e këtyre epsheve të lejuara para agjërimit vetëm se mbas afrimit tek Ai me lënien e asaj që ka ndaluar Allahu ne çdo kohë, si prej gënjeshtrës, padrejtësisë, agresioni ndaj njerëzve në gjakun, pasurinë dhe sendet e tyre.

Transmetohet nga ebu Hurejra radijallahu anhu, se Pejgamberi salallahu alejhi ua selam ka thënë: “Agjëruesi është në adhurim derisa të mos i shajë muslimanët apo ti dëmtoj ato”.(Ibnul Xheuzi në Ilel 887, Ibn Ebi Shejbe 2/272, Abderrazak 7895)

Nga Enesi radijallahu anhu transmetohet: “Nuk agjëron kush rri në hije dhe ha mishin e njerëzve”. ( Ibn Ebi Shejbe 2/272, Henad 1206) Hafidh ibn Haxher ka thënë është i dobët. Pra agjëruesi i lë ato gjëra që i ka pasur të lejuara para kohës së agjërimit. Në radhë të parë duhet të lejë çdo gjë që nuk i lejohet ti veprojë në çdo gjendje, për të qenë në radhën e agjëruesve të vërtetë.

Salih ibn Feuzan el Feuzan

Marrë nga: Libri i Agjërimit

Përktheu: Ebu Suada

Add comment


Security code
Refresh